July 27, 2024

Më zgjodhe mua - poezi të reja nga Ledri Kurti-Kraja

LEDRI KURTI KRAJA
Poezi të reja


🌹MË ZGJODHE MUA🌹
(Bijës sime, G.K)

Me sytë
E bukur pafund
Më fale
Një tjetër jetë
Më bëre
Të ëndërroja
Të ndjeja
Në shpirt
Më thellë....

Me qenien tënde
Të mëndafshët
Freski pranvere
E ngrohtë puhizë
Erdhe tek unë
Më zgjodhe mua
Ti, zambak I bardhë
O bijë!


🌹TË KAM THËNË BIJË?🌹
        
Të kam thënë bijë: Jetë?
S’kam gënjyer – Jeta ime, je ti!
Të kam thënë bijë: Diell??
E vërtetë, dielli im je ti!
Të kam thënë bijë: Shpirt??
S’e mohoj! Por dhe më fal, më fal
Për mëkatin tim të shenjtë…
I vetmi mëkat i shenjtë, mëkati
Im i bukur i dashurisë, më solli diellin,
Më ringjalli jetën në ty, për ty.
Më fal! Të linda për të mbajtur në kurriz
Kryqmëkatin tim të natyrës.
Por do t’i fal, gjithë qeshjet e shpirtit
Dritën e diellit e të syve.
Kur dhimbje të ndjesh,
Vetëm njëherë më thërrit
Edhe po të mos jem!

25 Dhjetor 2000




🌹HAPNI KRAHËT N’FLUTURIMIN TUEJ!🌹
(Bijave të mia.  F.K. & G.K.)

N zemër bija, kam sa fjalë
Por, m'lidhen tana, veç n'nji puthje
N'sy m'i gjeni, çka s'mundem n'ças'
N'kristale t'shpirtit tem, si lutje...

Si lutje, qieli, m'i lexon
Çka n'zemër kam, unë, me ju thânë
Ah, qysh kur erdhët, diell për ne
E sa herë, ndiva fjalën 'nanë'

N'dritë t'syve t'mi, e me ne bashkë
T'amlat e jetës, ju lshuet shtat
Si êjllit, dikur na i mbushët krahët
Tashma, shkëputeni, n'flutrim t'largët...

Ah! Zemra, për ju mban mbrêndë
Shumëçka, pa mujtë me ju thanë
Lotin n'sy, ma falni, n'se del
Tuj ju pâ, hyjneshë e zanë!

N'bekimet tona, jetën e gëzofshi
Hapni krahët, ju, n'dashtni t'saj
Zemrën e shqypes, ruejeni fort
Ajrit e diellit...
Pa pyetë për ndoj shtërngatë!

    
         20 Tetor 2020 / 23 Korrik 2024

 

_______________________   🎀  POEZI TE TJERA 🎀 ____________________

 


TERRINË PREJ QIELLIT!

U vra nji grue
E vranë nji grue
Vrau gruen e vet
U vra nji nanë
E vranë nji nanë
Vrau nanën
E fëmijve t'vet
U vra nji bijë
E vranë nji bijë
Vrau bijë
Ahtin e prindve t'saj
Pa njehë...
U vra nji femën
E vranë nji femën
Vrau femnën
Që dikur
E desht!

N'terr...
Po!
N'terr u hap dita
E dielli sterrë
I varun
Rrin n'qiell
Terrina shtue
Terrue
Drita e mendes
Harbue shpirtnat
Mbrapshtia ndër to
Lanë dangë
E shenjue!

Shndrrue sytë
E dikur - njierit
N'nji pellg
Tinzie
Me kohën përzie
E n'tamth
Gatue
Madhnue shtatin
Por harrue
Kuptimin
N'gand mashtriet
E n'pré tundimesh
Zvoglue
E tkurrë!

N'mbrendsi t'krahnorit
Tuj dashtë
Me hekë dritet
Até, t'vetën
Dikur - dashni
Përbuzë
Poshtnon
Mallkon
Ven gojë
Ven dorë
Përplasë
E harbon
Buzëqeshë
Shëtitë
Uron
E maskon
Palcë e vertebra
T'burrnisë
Shkërmoqë
E njierit t'motit
Ra mohit
Pa drojë!

Heu…!
Ty, t'u thaftë
Po, dora!
Që mbi bijë t'huej
Mbi grue tande
A mbi nanë
T'fmive tuej
Krahin çon
E t'zeza
N'mende tjerrë
Kombit
Marrue ftyrën
Mbi 100 vjett
T' flamurit...
....Bjerrë!

Ty
Që prehnit t'saj
N'jetë erdhe
Diellin
Mos me e nxi
Ty
Që n'gurë
Iu ktheve
Qiellit
Mbi krijesë tij
Ty
Që guxove
Mbi nanë
Mbi grue
Mbi femën
Mbi
.......Bijë!




MOTMOTESH TUJ ECË


N'se ditësh e netësh
Motesh
N't'përpjetë
Me shtat t'drejtue
Merr udhë me ecë
E ndër dhimbje
Trishtuese
Gjen shpirtin shkelë
Mëson zemrën
Me ruejtë
Prej saj
Ndîn jetë!

N'se n'ikje t'vet
Motet janë nisë
E ashkla n'tó
Rrin tuj mbledhë
Sa n'cepa sysh
Sa n't'syve
Rrathë
Sa n'qeshje
T'humbuna
Buzëve vizatë
Me sytë e mendes
Ti mëson
me pa!

Dhe me çka shpirtit
I mbetë n'kët' jetë
Motesh përshkue
N'rrokullisje t'vet
Nisë me kujtue
Dimnat e shkuem
Me afër askênd
N'det'n
e trazuem!

Dhe mbas motit t'ri
Mund t'ketë acar
Por dhe pranvera
Kanë me kërthnesë
Kur peshë dhimbjesh
T'mahiset n'ajr
N'njierin kërko
Me kuptue
Pse -të!

N'rrugëtime jete
Jo mâ, n't'ri të vet
Sprovue
N'këtë shekull
Vetmish me njerëz
Tek n'buzë t'lakon
Nji tis i lehtë
N'parmak motmotesh
Mendimesh
Rrin mbshtetë...!

23 /12/ 2023



NJERIU N’KOHË
Dulce bellum inexpertis
(Lufta duket e ëmbël për ata, që nuk kanë luftuar)


Nuk mundesh
Me iu heshtë
Kohës s'kapërcyeme
As udhëve
T'shkeluna
Kryq e tërthuer
As arkapijave
T'mshehuna
Gjethesh
Çengelash
T'zvenitun
Kur jetës
Dredhue!

Nuk mundesh
Me iu heshtë
As skajeve
T'largta
E as hapësinave
Ndërmjet
As ajrit
T'gërthyem
Fjalëve
Njerziet
Çngjyrosë
E gërmash / …Tretë!
Nuk mundesh
As me mbjellë
Gêma lulesh
N'padije
E kinse
N'pafajsi
Ku dimni
Përvlon
Ngricash
E dheu
Asht I zbehtë
Pa frymë
E n'anemi!

Nuk mundesh
Ku dhimbjet
Ngarkue
E thellue
Motet
Pranverash
N'ardhje
Me i shpluhnue
Ma e fundit borë
Shndritë
E plogët
E mbi tó
Paqtue!
        
30 /01/2024

ZGJIM

N'andërr....
Hetova
Fillesën
E rrugës s'gjanë
Kur n'sy
Dritën mora
E n'zemër
Jetën
Fluturimit
Rendë
Kohës
Êndë
Por...

Udhës
U gjenda
Vetëm
N'kthina
Pshtjelllue
Mes drujve
T'pyllit
Shikimesh
Ngërçue
Pa zâ
Pa tinguj
Pa zhurmë
N'mue...
Askênd
S'mbrrita
Me dallue
- Sytë e mi
Nuk shohin!
Gjithnji
Thashë
Shpresa
Kje paksue
E drobitë
Krahët!

Ngatrrue
Pyllit t'dendun
Ia dola
Agut
Fluturimit
Gjithsesi
Ia dola
Mbas
Por...jo andrret
As ngjyrash
T'rrejshme
T'kthyeme
N'ankth...

Me sy t'rimtë
Mbeta
Humbue
E n'labirinte
Mu bâ
Se rashë
N'nji mot
Me shi
N'tokë
T'lagshtë
Shpend i mjerë
Përplitun
Krahësh…

Hapa sytë!
N'gjasim sorkadhet
Dy sy mbi mu
At' ças'
N'puhí m'avitej
Nji za
Që m'puthte...
- T' falem bijë
- E vogla jeme
T'falem,
Thashë..!


05 /09/ 2022