poezi nga libri "Hapjani portën erës"
HAPJANI PORTËN ERËS!
Hapjani portën erës!
Të ngopet gjersa të gromësijë,
për ku ajo të jetë nisur,
me gjethurina apo ranishtë.
Ose kapistall t'u bëhet
dëshirave të pista,
puthjeve të fëlliqura,
me parfum lulesh përzier aksidentalisht!
Hapjani portën erës!
Ju pështiros tejngopja me ne.
do diku të vjellë,
plehrat, të lënat... shpirtrat e zheluar.
Mbase mund të ngelet dikush...
Fatlumi ai!
Mbase, të gjithëve na pështyn...!
Ptu! Ptu..! Ptuuu!
1996!
TË KAM THËNË BIJË?
Të kam thënë bijë: Jetë?
S'kam gënjyer- Jeta ime, je ti!
Te kam thënë bijë: Diell??
E vërtetë.dielli im je ti!
Të kam thënë bijë: Shpirt??
S'e mohoj! Por dhe më fal, më fal
për mëkatin tim të shenjtë....
I vetmi mëkat i shenjtë, mëkati
im i bukur i dashurisë, më solli diellin,
më ringjalli jetën në ty, për ty.
Më fal! Të linda për të mbajtur në kurriz
kryqmëkatin tim të natyrës.
Por do t'i fal, gjithë qeshjet e shpirtit
dritën e diellit e të syve.
Kur dhimbje të ndjesh,
vetëm njëherë më thërrit
edhe po të mos jem!
25 Dhjetor 2000
PA HARRUAR SE JEMI
DHE DËSHIROJMË
Jeta të pret...
t'i hidhesh në krahë.
Në krahët e saj
të gjesh, ç'të gjesh
është veç për ty.
Aty!
Aty është
ç'ka na lanë dhe jo
ata, para nesh
atë, fis, e racë,
në mal, në fushë, në shesh.
Në krahët e saj,
diç më shumë a më pak
si ata, ngrysesh a qesh!
U pendove që je,
kush dhe pse???
Masivin shkëmbor shkërmoqe!
Të gjithë e katrorizuam
në thërrmija vetvetesh, qytetesh,
në sy dritaresh.... brilante heshtjesh!
2 shkurt 2001
MË PRIT!
Më prit, se s'kam ndermend të vij.
Ti hajde, se s'dua të pres.
Nëse më gjen, me ty do të rri
do qesh, do qaj, do hesht...
E çuditshme!
Ti mund të vish të më kërkosh,
por adresa ime është ndarë nga unë.
Unë s'jam më këtu as kur pres,
as kur humb!
Më prit!
Vërtetë,
Të kam dashur dhe dua shumë!
NUHATJE
Të kthejmë?
Po atëherë pse erdhëm gjer këtu?
Të shkojmë më tej???
Por.. .sa? si...? Për ku...?
Të kthejmë??
Qeshim...me qeshjedhimbje në shpirt.
Qentë bastardë, nuhasin "erë njeri!"
Të vraposh...s'mundesh!
Të presësh?? Të kthehesh??
Ç'lemeri!