March 22, 2020

Kurrë mos iu thëntë emri!- nga Ledri Kurti / Kraja




LEDRI KURTI – KRAJA

KURRË, MOS IU THËNTË EMRI!


Një pikë Zero,
dhe jeta u zbraz.
U shtuan të pagojët.
Heshtja...
nga heshtja vloi.

Të thikëta qeshjet.
Ecja...
Në teh të mosecjes.
Autobusët, trenat, avionët,
ngarkuar,
me çengela pikëpyetjesh.
Qielli,
i panjohur për tokën.
E zogjtë, për qiellin,
lindur,
të plogësht.

Duart, të varura,
në çengelin,
e një pike Zero.
Puthjet, kapërdirë,
në labirintin e frikshëm,
të një fyti,
që mund të ishte,
vetë porta e Hádesit.

Pooooooor...
I dëgjoni zërat
e krijimit të botës?
Po të mijëvjeçarëve?
Aty ka qenë,
dhe trekëndëshi i Bermundës,
I frikshëm,
e përtypës i pabindur,
si nepsi i hileqarëve.
Por,
përreth saj,
E Njeriut, Gjithçka:
Tokë, Det, Qiell e Ajër..!
Larg tundimit të djalltë,
Dita zbardhet!

Një pikë Zero,
një Bermundë për njeriun,
Mjerisht e fuqishme,
Po aq,
dhe e varfër!

Krijuar për momentin në të cilën gjendet Bota, Sot!
E tëra, Nën Pushtetin e Frikës për Jetën.
(Fund dhjetori, Janar, Shkurt, Mars... 2020?)

Një dimër - sprovë për anatominë njerëzore!
                            
14 mars 2020
                                                           

TI, SHKODËR!

Qytet
Që n'jone prendimi
Hijeshue, shtatin ke
E n'ftyrë t'skalitun
Ma t'bukren natyrë
Që gjithësia t'fali!
E n'supet - kështjellë
Kohë mbas kohe
Shpluhnos
Kreninë tânde
M'u paqtue mállit!

Ti, sy kthjêllta
E tânë zemrave
Që, edhe n'tânden dihatje
Je gurgullim' ujnash
Nëntokë...
E... mbi gjoksin tând
Prej kah jeta
S'din me shtêrr
N'thellsi t'veta
Çlirim zemrash
mblêdh!

Zemrash tona
E zemrash prej nâne
Ku bâhen unjí
Me rrëké e ciklone
Lotsh t'kapërdim
Gjatë dhîmbjes tânde!

Ti, Shkodër!
Me lule, mbushun pafund
N'prehen tândin
Pa u vyshkë
Kurr'njiherë
Me zânin kristal
T'ujnave tuej, gjithkah
E pikturë, malesh!

Ti, Shkodër!
Log mbas logu
Bart, bukuri perrish
Që e bâjnë të rândë
Peshën tânde
Aq sá...
N'jonet tueja, t'përjetshme
Kângët dhe shpirti
Shtrihen
Pafund e pacak
Ku mendja, mâ
S'përfshin!


Shkodër, 3 Mars 2020