LEDRI KURTI - KRAJA
- Cikël poetik -
VJEN PRANVERA...!
Ç' pret
diellin,
kur shiu krésë e supeve âsht
i îdhtë vnér?
Mos u mpàk nga konôpët e tij..
Vjen nji vàkt
e pushon.
Mundèsh me kênë i lâgun
fòrt
e mâ kèq,
me t'mblù...
e me t pèrmbyt' zémrën!
Mos lêngò!
Pranvéra ârdhtë!
Se tûrr - tûrr, uji têsh po brumbûllón
dréjtë e n' dét
E pêmët têsh po shêndojnë
Me kunora rrezesh t'ártë
Tuj t' lmûe shpirtin
me pâqë..
E... ké me e harrue,
shi a ka pâsë
e gjìthë atë lèngâtë.
NJË VIT QË IKËN. GËZUAR!
Një vit po ikën,
koha nuk kthen pas
një yll, po bie në hapësirë
diku, çel një gonxhe njomë
diku, një lule i
thotë gonxhes
"Lamtumirë!"
diku, një shpresë ëndrre bëhet
nënë,
e diku... një nënë uron:
“Udhë të mbarë kësaj jete, bij!”
Një vit po ikën, koha nuk kthen pas.
Gëzuar, jetën si dhuratë.
Gëzuar, për mirësinë dhe shpirtin plot gaz.
Gëzuar, për qiellin dhe gjithësinë.
Gëzuar, njeri.
Gëzuar, dashurinë që merr
dashurinë që fal!
18 dhjetor 2019
EDHE PSE E ZBARDHUR SHUMË!
Ti heq zogjtë nga zemra..
Zemra pikon gjak,
por... dhe t'i mbaj brenda,
zemra vetë, më plas.
Ah, moj zemër, ah
ç ‘zgjedhje do bësh vallë
ajri më lëndon,
më ngec në fyt
si zjarr.
Ç't'i bëj zemrës sime,
që më qan e s'ndalet,
zogjtë janë të vegjël,
përplasin kanatet...
Duan tej të shohin,
tej.. me sy të lirë,
dritën, qiellin, yjet...
mëngjeset në shpirt!
Por zemra, çfarë t'i thotë
'qëndroni brenda meje?'
Jashtë është ftohtë
gjen shtëllunga reje?
Mëngjeset janë të bukur,
Por s'di, sa shumë të ngrohtë..
Ah, Engjëj, ju lutem,
Krahëbardhë qiellorë!
Zemra tkurret, dhemb
pothuaj, i ndal rrahjet,
por......dhe nëse rreh,
për zogjtë, ajo ringjallet.
Krahët rrahni, po,
qoftë edhe natë...
Fluturoni mëngjesesh,
pa drojë aspak.
Mëngjesi është, gjithmonë!
Edhe pas çdo nate!
Besoni, është aty,
Si radhë rruaze...
Mëngjeset, do ju puthin,
kur natë të bjerë në udhë,
pranverë, zemrës i falni,
me dimrin, qeshni bukur!
Gjithnjë, do të cicërini,
tinguj mëngjesesh.
Shpirti im si frymë,
ju ngroh me diell
jete.
Zemra flet me veten....
Tashmë, oh, sa shumë!
Zogjtë, ndjekin mëngjeset,
me erë, dëborë, qetësi.
dhe zhurmë!
Mbi degë qofshi, a
fluturim
unë, do ju puth krahët,
me ajrin, do jem ledhatim,
që ju ndih' e s'ndalet.
Kanatet zemrës, i mbaj hapur,
Po, gjithnjë... për ju,
nëse fluturimesh, keni mardhur.
kurdo, mund të vini këtu!
Dhe gjithmonë kështu!
Ndonëse, dëbora mund
dhe mund dhe mund
...të më ketë zbardhur,
shumë....
Jam e ajërt, unë!
10 dhjetor 2019
ORË ANKTHI
Orë ankthi.
Mbushur me tone mendimesh
që vdisnin pa lindur
pa frymëmarrje
pa dritë
dhe ngelej
asgjëja mbytëse!
23 nëntor 2019
BLASFEMITË
Fjala
po qan,
e
shumë, ka qarë,
si
foshnjë e lënë diku,
si
mëkat.
E
qara, ther ajrin,
një
shpirt është jashtë.
Fjala
dridhet së ftohti,
po
mavijoset,
gjer
në palc.
Turpin,
po!
Lëreni
jashtë.
Foshnja,
s'është mëkat.
Do
netë e vite të pagjumë,
nga
foshnjë të rritet,
pa
ecur në gjunjë,
por...ju
bën Nënë,
ju bën
Atë,
e
gjithë jetën,
me
kujtime ju përkund.
Sot,
kërkon
një dorë t'a marrë,
nesër,
ju jep krahë!
Mos,
Fjalën!
Nga
Zoti e kemi dhuratë.
Si t'a
braktisim,
foshnjën
tonë,
me
dënesë, duke qarë?
A më
mirë, jetën,
të
mbash në krahë,
apo në
shpirt, pengun e saj?
Fjala,
ishte e para,
dhe
buzëqeshja e foshnjës.
Gjelbërime
të shpirtit në jetë.
Hakërrohet
natyra, nga të qarat,
dhe
blasfemitë,
që
njeriu mbjell...
20 nëntor 2019
NËNTOKË, HYJNË TEMPUJT
Përbindëshat nuk janë thjeshtë
dhe vetëm në mite
dhe nuk janë,
në përmasat e lubive,
nuk janë të fuqishëm,
as kemi pse t'ua kemi frikën
klithshmërive.
Janë ai, ajo
ato... të tromaksurit pa zë,
që puthin duart
duke kënaqur
kameleonin brenda tyre.
duart
që rrënjët e krahut
nuk i kanë në zemër
e që në tru
kanë vetëm sinjale vobeksie.
Përbindëshat
nuk janë vetëm në mite.
Janë sythe helmuese
të çdo pranvere, vere,
vjeshte e dimri.
Ato...nuk lulëzojnë, nuk digjen,
nuk rrëzohen, nuk ngrijnë.
Oh, jo!
Stinët janë të gjalla,
të shenjta,
kanë ngjyrat e shpirtit.
Sythet e këtij çiftëzimi,
harlisen frikshëm.
Oksigjeni zvetnohet,
fryma e Njeriut nëpër stinë,
mjerisht mpaket,
e qenia, bie në koma
në mjegullimën e përtejbotës.
Përbindëshat
nuk janë aq të mëdhenj
as të frikshëm.
Janë thjesht, ca bimë
që tokës, i ngulen si thonj,
dhe nga toka
i kacaviren llahtarshëm,
kohës që kafshojnë,
duke e njelmur atë
në âmë.
me helmin e duarve që puthin.
Përbindëshat shtriqen oborreve.
Kacaviren mureve
Ngjishen lartësish
duke u zënë sytë, dritareve.
S' ka më dritë!
Qyteti ligsht mveshet
me dredhëza
të kërrysur zgaqshëm,
ndaj sythit të
helmët
e trurit të vobekët.
Përbindëshat
lëpijnë buzët ngjyrë - tëmth,
damkosur me qeshje Guimplenësh...
përbindëshaaaaaa....t,
kacavarë si dredhëza
I krekosen vetëm dritës,
që i tremb.
dhe hijes së vet.
Për tmerr
nga kacavjerrjet,
Iu shkulën qytetit,
flokët e bukur.
të prerë shkurt,
të rritur gjatë
flokët
me ngjyra stinësh larë.
E nëntokë
hynë tempuj të lashtë,
e shkallë.
20 dhjetor 2019