July 27, 2024

Më zgjodhe mua - poezi të reja nga Ledri Kurti-Kraja

LEDRI KURTI KRAJA
Poezi të reja


🌹MË ZGJODHE MUA🌹
(Bijës sime, G.K)

Me sytë
E bukur pafund
Më fale
Një tjetër jetë
Më bëre
Të ëndërroja
Të ndjeja
Në shpirt
Më thellë....

Me qenien tënde
Të mëndafshët
Freski pranvere
E ngrohtë puhizë
Erdhe tek unë
Më zgjodhe mua
Ti, zambak I bardhë
O bijë!


🌹TË KAM THËNË BIJË?🌹
        
Të kam thënë bijë: Jetë?
S’kam gënjyer – Jeta ime, je ti!
Të kam thënë bijë: Diell??
E vërtetë, dielli im je ti!
Të kam thënë bijë: Shpirt??
S’e mohoj! Por dhe më fal, më fal
Për mëkatin tim të shenjtë…
I vetmi mëkat i shenjtë, mëkati
Im i bukur i dashurisë, më solli diellin,
Më ringjalli jetën në ty, për ty.
Më fal! Të linda për të mbajtur në kurriz
Kryqmëkatin tim të natyrës.
Por do t’i fal, gjithë qeshjet e shpirtit
Dritën e diellit e të syve.
Kur dhimbje të ndjesh,
Vetëm njëherë më thërrit
Edhe po të mos jem!

25 Dhjetor 2000




🌹HAPNI KRAHËT N’FLUTURIMIN TUEJ!🌹
(Bijave të mia.  F.K. & G.K.)

N zemër bija, kam sa fjalë
Por, m'lidhen tana, veç n'nji puthje
N'sy m'i gjeni, çka s'mundem n'ças'
N'kristale t'shpirtit tem, si lutje...

Si lutje, qieli, m'i lexon
Çka n'zemër kam, unë, me ju thânë
Ah, qysh kur erdhët, diell për ne
E sa herë, ndiva fjalën 'nanë'

N'dritë t'syve t'mi, e me ne bashkë
T'amlat e jetës, ju lshuet shtat
Si êjllit, dikur na i mbushët krahët
Tashma, shkëputeni, n'flutrim t'largët...

Ah! Zemra, për ju mban mbrêndë
Shumëçka, pa mujtë me ju thanë
Lotin n'sy, ma falni, n'se del
Tuj ju pâ, hyjneshë e zanë!

N'bekimet tona, jetën e gëzofshi
Hapni krahët, ju, n'dashtni t'saj
Zemrën e shqypes, ruejeni fort
Ajrit e diellit...
Pa pyetë për ndoj shtërngatë!

    
         20 Tetor 2020 / 23 Korrik 2024

 

_______________________   🎀  POEZI TE TJERA 🎀 ____________________

 


TERRINË PREJ QIELLIT!

U vra nji grue
E vranë nji grue
Vrau gruen e vet
U vra nji nanë
E vranë nji nanë
Vrau nanën
E fëmijve t'vet
U vra nji bijë
E vranë nji bijë
Vrau bijë
Ahtin e prindve t'saj
Pa njehë...
U vra nji femën
E vranë nji femën
Vrau femnën
Që dikur
E desht!

N'terr...
Po!
N'terr u hap dita
E dielli sterrë
I varun
Rrin n'qiell
Terrina shtue
Terrue
Drita e mendes
Harbue shpirtnat
Mbrapshtia ndër to
Lanë dangë
E shenjue!

Shndrrue sytë
E dikur - njierit
N'nji pellg
Tinzie
Me kohën përzie
E n'tamth
Gatue
Madhnue shtatin
Por harrue
Kuptimin
N'gand mashtriet
E n'pré tundimesh
Zvoglue
E tkurrë!

N'mbrendsi t'krahnorit
Tuj dashtë
Me hekë dritet
Até, t'vetën
Dikur - dashni
Përbuzë
Poshtnon
Mallkon
Ven gojë
Ven dorë
Përplasë
E harbon
Buzëqeshë
Shëtitë
Uron
E maskon
Palcë e vertebra
T'burrnisë
Shkërmoqë
E njierit t'motit
Ra mohit
Pa drojë!

Heu…!
Ty, t'u thaftë
Po, dora!
Që mbi bijë t'huej
Mbi grue tande
A mbi nanë
T'fmive tuej
Krahin çon
E t'zeza
N'mende tjerrë
Kombit
Marrue ftyrën
Mbi 100 vjett
T' flamurit...
....Bjerrë!

Ty
Që prehnit t'saj
N'jetë erdhe
Diellin
Mos me e nxi
Ty
Që n'gurë
Iu ktheve
Qiellit
Mbi krijesë tij
Ty
Që guxove
Mbi nanë
Mbi grue
Mbi femën
Mbi
.......Bijë!




MOTMOTESH TUJ ECË


N'se ditësh e netësh
Motesh
N't'përpjetë
Me shtat t'drejtue
Merr udhë me ecë
E ndër dhimbje
Trishtuese
Gjen shpirtin shkelë
Mëson zemrën
Me ruejtë
Prej saj
Ndîn jetë!

N'se n'ikje t'vet
Motet janë nisë
E ashkla n'tó
Rrin tuj mbledhë
Sa n'cepa sysh
Sa n't'syve
Rrathë
Sa n'qeshje
T'humbuna
Buzëve vizatë
Me sytë e mendes
Ti mëson
me pa!

Dhe me çka shpirtit
I mbetë n'kët' jetë
Motesh përshkue
N'rrokullisje t'vet
Nisë me kujtue
Dimnat e shkuem
Me afër askênd
N'det'n
e trazuem!

Dhe mbas motit t'ri
Mund t'ketë acar
Por dhe pranvera
Kanë me kërthnesë
Kur peshë dhimbjesh
T'mahiset n'ajr
N'njierin kërko
Me kuptue
Pse -të!

N'rrugëtime jete
Jo mâ, n't'ri të vet
Sprovue
N'këtë shekull
Vetmish me njerëz
Tek n'buzë t'lakon
Nji tis i lehtë
N'parmak motmotesh
Mendimesh
Rrin mbshtetë...!

23 /12/ 2023



NJERIU N’KOHË
Dulce bellum inexpertis
(Lufta duket e ëmbël për ata, që nuk kanë luftuar)


Nuk mundesh
Me iu heshtë
Kohës s'kapërcyeme
As udhëve
T'shkeluna
Kryq e tërthuer
As arkapijave
T'mshehuna
Gjethesh
Çengelash
T'zvenitun
Kur jetës
Dredhue!

Nuk mundesh
Me iu heshtë
As skajeve
T'largta
E as hapësinave
Ndërmjet
As ajrit
T'gërthyem
Fjalëve
Njerziet
Çngjyrosë
E gërmash / …Tretë!
Nuk mundesh
As me mbjellë
Gêma lulesh
N'padije
E kinse
N'pafajsi
Ku dimni
Përvlon
Ngricash
E dheu
Asht I zbehtë
Pa frymë
E n'anemi!

Nuk mundesh
Ku dhimbjet
Ngarkue
E thellue
Motet
Pranverash
N'ardhje
Me i shpluhnue
Ma e fundit borë
Shndritë
E plogët
E mbi tó
Paqtue!
        
30 /01/2024

ZGJIM

N'andërr....
Hetova
Fillesën
E rrugës s'gjanë
Kur n'sy
Dritën mora
E n'zemër
Jetën
Fluturimit
Rendë
Kohës
Êndë
Por...

Udhës
U gjenda
Vetëm
N'kthina
Pshtjelllue
Mes drujve
T'pyllit
Shikimesh
Ngërçue
Pa zâ
Pa tinguj
Pa zhurmë
N'mue...
Askênd
S'mbrrita
Me dallue
- Sytë e mi
Nuk shohin!
Gjithnji
Thashë
Shpresa
Kje paksue
E drobitë
Krahët!

Ngatrrue
Pyllit t'dendun
Ia dola
Agut
Fluturimit
Gjithsesi
Ia dola
Mbas
Por...jo andrret
As ngjyrash
T'rrejshme
T'kthyeme
N'ankth...

Me sy t'rimtë
Mbeta
Humbue
E n'labirinte
Mu bâ
Se rashë
N'nji mot
Me shi
N'tokë
T'lagshtë
Shpend i mjerë
Përplitun
Krahësh…

Hapa sytë!
N'gjasim sorkadhet
Dy sy mbi mu
At' ças'
N'puhí m'avitej
Nji za
Që m'puthte...
- T' falem bijë
- E vogla jeme
T'falem,
Thashë..!


05 /09/ 2022

July 18, 2024

Poemë për At Gjergj Fishtën - nga Ledri Kurti Kraja

 


 
Viti 2020 - VITI  I GJERGJ FISHTES
 Në vjetorin e 80 - të vdekjes së
               Poetit Kombëtar
                    Gjergj Fishta
                      si obligim,  
dhe ndaj të cilit, si komb dhe dije,
            i detyrohemi shumë!




Jeta Jóte e Pamórt...!

Gjergj O Fishtë!
A e ke njehë ndopak kët' vjetë?
Për 80 - ën herë
Tek âsht Moti Jot
E Jotja Jetë
E Pamort...!

E jotja jetë
E pamòrt
Si me kene Gjergj Kastriot
Tuj t'drashtë ty
E fjalën tande, që njet
Të dekun, tuj t'drashtë
Edhe ma keq!
Edhe pse drít' dhê
për kët' komb
dhe pse shpírt dhê
për kët' dhe!
Dhe pse drít',
E shpírt, Ti dhê
E mêndjes shgjetare
Mírë, ia njíte hapin
Me t'luanit, zemër
Bashkë' i bâne
Trróllit mbarë
Të tanë, vllaznit!

Bashkë, i bâne vllaznit
An' e kând
Të tanë
N'gërma t'shêjta
E me t'shêjtën âmë
T'ardhun prej Buzukut
N'shekuj t'shkapërdámë
Që n'Ty
Aq híjshëm
T'ndêjtne n'shtat
E fjalës Tânde
N'peshë e n'art
Si n'urtí  motesh
T'patne grat!

T'patne grat
Forcë e híje
Kur lumi, njofti
T' vetin shtrat
E kombit n'asht
Iu kthye kalesa
Gjallnoi n'frymë
E n'jetë, e palc...!

Librue
Ngulfatjes
E smundjes
Qetsue
Qielli u kthjell
Mbi tokë t'blerue
E fjalës shqipe
T'strukun
E n'ikje..
N'diamante
Ia ktheve kombit
Gjuhën…
Gadi n'përshpírtje!

At'herë
E tashma
Edhe kur, s'të deshtne
E gjíndjes, gojën
Ia përzhítne
Me heshtje
Ti, nuk bzâne
Por...
Me zemër t'madhe
Idhnue
Vorfnímit t'drìtës
Sh'gjetat tueja t'fjalës
i mprehe
t'vum' kapícë !

Qesh o Gjergj!
Ti Kastriot,
I drítës e  i fjalës
Që mbi flatra shqypesh
Gjithkah n'flutrím
Mbi ne, ke ndêjë
Me t'tândin shpírt
Me t'tuejat
Pesha t'rânda
T'mêndes
Që t'shndrít
Njitas
N'naltsi malesh
Ku asgja / S'ka mujt, me t'cíkë!
Askurrë
S'kanë mûjtë
Gjergj o Físhtë!
Pse kombin tând
E deshte fort
E deri n'palc
E Shqypes fort
Ia deshte âmën
Der'... n'mâ t'ímtat
Drídhje
Der' … n'mâ t'ímtat
Kapilarë!

Tek kndue i ke
Këtij dhé
Me díje, art e drítë
Po nj'aq ídhtas
Ke gjuejt  n'fjalë
E mnítas rândë
Ke fshíkë
Çka
Me t'ligë zhigatje
A me ndjesí n'sosje
N' tempull gjuhe
A n'shejtní kombi
Guxonte
n'përdhosje!

Me u kthye, Gjergj Fishtë!
Ti, i fjalës, Kastriot!
E mos me prâ
As n'romuze tueja!
Gjuej pa dert
E mbí çdo gând
N'kët' vigjilje
T'jetës tande t'pamort
E gjîndja...le t'shohin
Si shqypja kthen
Flatrat tue rrahë
N'Ty e n'zânin Tând
E me kombin
N'frón!

Gjergj
O Fishtë!
Ti, që  Kastriótit
Shpatën
N'pêndë ia shndrrove
E me Hymn
Ti, Shqypes
Krahë i dhê, n'ajrí...
Mos rri héshtë!
Mjaft pushove!
Zanin  Tând,
T'a ndíjmë
Tue kndue
Me ne, përbríj!
Je tuj pushu?
Po çou Gjergj!
Ke bóll, çka me pa
E ke shum', me ndî
Ti, që t'ídhtat
Smundjes
Ja shpraze, pa dhîmbë
Tu' ia hjekë dheut
Pezmin
N'ménde
E n'shpírt!

Gjergj o Fishtë!
N'kët' tet'dhetë
t'jetës Tânde, t'pamort
Kur ende shqypja
N'Ty beson
Ndeze nji cingare
Pash diell e hanë
E n'kuvend, mblídhi
T'vjetër e t'rij
Të tanë...
Méndjes hollue
E për kombin, zemërgjânë!

E mos harro
Konicë, Harap, Kolíq,
Arshi Pípë e Martin Camë...
Në çka dheu
S'pati fat
Fort e fort,
Me i njoftë
Në ligjërata t'mêndes
As...
Në t'shpirtit fjalë!

Príji, Ti
O i tanve, Átë!
N'aromë t'blînit
Me t'diellit rreze
Díl,  fajkúe
Merr ajrin mbarë
Se Shqypet, t'tanë
T'njofin
E t'ndíjnë
Për sa t'i thojnë
Vedit
Shqiptar!


Dhe....
Gadi ban
Do rrfé
E  batare t'rânda
Me i lshue
Pa ja dá
Për çka n'ajrí
Asht ba
E rândë
tek ku s'vên mâ...!

Ç' zhguell
N'vend të lkuers
Paskena pasë?
Ç'shqísa mangut
Na kanë mbetë
O rrugës
Na kanë tretë…?

Gjergj, O Fishtë!
Boll, ke pushue
Po due, me t'pvetë
Ku kena mbetë ???

Tet'dhetë vjet
mâ don me ndéjë..?
Çou Gjergj
T'na galdojnë zemrat!

Çka n'ty
Kanë shkangullue
Ajri i rândë
N'frymë
Shpírtin
Ia ka rrxue...!

Udhtimin tând
E kryve
Gjergj Físhtë!

Lêne, m'njen anë
Edhe gjumin...
Përplase njiherë fort
T'tânden dorë
Mbi líbra t'harruem
E dragojt
T'mos kjajnë
N'heshtím
Pa ty
E t'vetmuem...!

Edhe pse
T'tretne eshtnat
E shkelën
Tândin emën
Drítën, e zezuen
Por...s'kanë mbrritë
Me t'humbë...
Veç vedin
N'për têrr
T'shpirtit
E mkatnuen!

Por Ti
Nuk ndînë
Për vogëlsína
Që t'vocrrit lshuen
E bane, n'Ty
Pse  komb e giuhë
Pate ltér
Rrethue
N'bardhsí
Që s'dìn me shterrë!

Gjergj O Fishtë!
N'tetëdhetën vjetë
T'jetës tânde
T'pamórt
S'ke pse malet
S'i përshndétë
Përshndete t'lúmen
Tânden tokë
Qysh Sot
E për jetë e mot!
                                        
Shkodër, më 31 Korrik 2020