April 30, 2007

"BASHKE", poezi 2000



LEDRI KURTI
poezi nga libri "Bashkë"

FRIKË PËRGJUMUR DHE ZGJUAR!

Na zuri gjumi

me kufje, në veshët zgjuar.
Truri përplas portat e pambyllura mirë, kurrë.
Nëpër trotuarë, shiu ecte dhe më egër
se në asfalte, ku s'duhej të kalonim.
Semaforët, me dhe pa uniformë,

ndërroheshin tmerrësisht shpejt.
Nga sytë e semaforëve të gjallë
s'arrinim as të tentonim
për të kaluar në tjetër trotuar.


IKJA!

E vetmja gjë
që bëni t'ju pëlcasë çdo ditë në duar,
Ikja...( unë të iki, ti flet për ikjen, ai në ikje..)
Ajo ende ju fshihet, vazhdoni gjoja ta kërkoni.

Ne po jetojmë brënda saj, çdo ditë të ngratë!
Një flluskë
vetëm, na latë për fat.


Po ikim, po ikim për fare!

Mallkuar ju! Mallkuar ju, që veç mëshirë sysh
i dhatë trurit, që hiqej zvarrë pas saj....!


PAK DIELL, PER...!

Dielli lind,
për t'mos e parë të gjithë.
Kërkojmë sytë e tij, që s'na shohin.
dhe të heshtim dimë, si shtazë të ngopura, me hijen e tij.

Merremi vesh mes nesh.
dielli s'na sheh!

Mbase i dhëmbin sytë këtej nga ne!


KUJTOHU!

Një gjarpën stërmadh
n'gabzherr ia nguli njierit

shijen e idhtë.
E njieri, tue mos muejtë
me kenë, kësi lloj gjarpnit,
por krijesë disi ma pak e përçudshme,
si zog gjarpnit përhidhet
n'fyt t'atij, që s'din,
ç'ka ka përballë vedit,

e as e merr vesht ma pas
se në çka, ai vetë asht shndrrue,
e prej kah i vjen kjo domosdoshmeni
prej instinkti,
me i idhnue të tjerët, që s'janë
e s'i gjen si vedin.

O Zot! Der kur do flasim si gjarpnij?
Der kur do flejme si gjarpnij me çu krye?
Zot! Merr nji gur që s'asht në tokë e na gjuej!
Nji gur ku nuk mshehen gjarpnij,
e as fërkue për te, t'mos jetë.
Nji gur prej Tejet, Zot!

30 qershor 2000


MUNDOHU!

Nëse të tjerët të fyejnë, përbuzin,
mundohu pamundësisht, djersij!
Eshtrat, të të ndihen gjallë, njeri!
Më pas kërrysur mos mbetesh
mundohu sërish, djersij!
Letë krisin kockat,
mbi shpinën tënde të mos zgërdhijnë!
E kur...t'mos kenë më si të afrohen..
Mos iu afro ti, asaj lukuni!
Mos ulërij! Atëherë,vetëm mundohu,
Të mos ulërish!



PA PËRGJIGJE...

Në zemër, në zemër, thika sysh më grinë
Në zemër të virgjër, nga ti ndjeva dhimbë...

Dhimbë e urrejtje, frikë e dashtni

zemrën e gjakosa,
e ti në heshtje rri???

Ndjeva dhimbë, të thirra, por përgjigje s'pata.
Në sy,
sytë mi ngul, të kërcasë shuplaka!
Në sy,
që edhe ti të vuash si unë,
por unë s'do hesht...
do vuaj më shumë!


JETË E ÇALË!

Të gjithë, të gjithë kanë vdekur???
Kush, ende nuk ka vdekur....? Të flasë!
Në heshtje, me duar...por gjithsesi, të flasë!
Dua ta shoh, ta ndjej, ta fal..
Ç'ironi ky fat... ç'fat kjo ironi e pamëkatë!

Të vdekurit u mbajnë pishtarin të gjallëve.
me këmbët në pleh, fytyrën në baltë.
Të gjallët në gjunjë, gjymtyrët përdhe...
Gërmadhë!
Të gjallët e vdekur! Të vdekurit e gjallë!
Së bashku enden si hipitë,
kërcënohen si djajtë...
Veç një plakë, hiqet zvarrë
me këmbën e saj të çalë
kërcet me shkop,

mbi barin e varreve qesh,
hap ditët çdo ditë ndër të gjallë!


E NESËRMJA!

Një akullimë përreth, gjarpëron
e më prek të qeshurën...!


VËRDALLË...!

Imazh? Jo!
E gjallë! "Legjendë e misrit"
jehon me piskamë ethesh,
përcillet mallkim malesh,
"Mos he t'shitoftë zana, e shkele!"
Brenda errësirës, në odat e imagjinatës,
me syrin tand,arrij të shoh , Migjen!

Qeleshet e bardha, baltrat, inorancën,
sikurse mjerimint'pangishëm si qen.
shoh ç'ka s'duhet veç dhimbjes njerëzore,
Buzë foshnjash me uri, buzëpluhur,
tek marrin nga dhuntitë e jetës skamnore
sa pak ajër... të ardhme të përbuzur!
me syrin tand desha të shihja, Migjen!
Hapit tand, t'i vija pas.

Me shpirt në ferr, do desha të digjet,
farmak- mesjeta mjerim-kafshë!
Ti, mjerim- kafshës, egërsuar n'ekstazë,
nga mushkëritë e tua u dhe gjak.
Po sot, ky gjarpër spërdridhet me takt...
Një grusht në tru, këtij truri lugat!

Një grusht, një grusht, për këtë lugat
Një mal i tërë zgërdhihet në vaj..
Një grusht, pa grusht, veç ligji, qytetari pas!
Eh Migjen! Kufoma që pe, ende sillet vërdallë!


RESPEKT PËR TË VDEKURIT

Nën këmbë, hije të zhubrosura,
skelete të thara,
emra të kapërcyer.
Bota qenka shumë e vogël!
S'ka tokë
Për të vdekur
u dashka të shkelim
jetën e të gjallëve!


TIM ETI

(L. K. flautist)

Dikur....si dikur
një fill hyjnor nga shpirti yt
përzier me shpresë... veç me shpresë e lotë.
në shtatë tinguj notash, si me shtatë mrekullitë
nga shpirti në buzë, nga buzët në flaut,
nga flauti në qiell...Oh Zot!

Nga qielli,
shi tingujsh parajse, për njerëzit në tokë!


VETËM...

Ky qytet
është pre'
Brenda mureve
Jashtë mureve
Brenda nesh

Brenda tyre
Jashtë gjithçkaje
ngelet pre'
për tu ngrënë.

Meny që tundon!
Ky qytet, ngelet pre'.
Kujdes!
Të besojmë?
T'i gjejmë emër tjetër?
Apo të mendojmë,

se gjuetia lindi nga tradhëtia
e madhe, e Trojës???!!!